Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, shpalli se projekti i Unazës së Madhe në Tiranë pritet të përfundojë deri në vitin 2025. Gjithashtu, theksoi se dy segmente të projektit në zonën e Paskuqanit tek ura e Babrrusë pritet të hapen gjatë këtij viti dhe pastaj brenda vitit tjetër të dorëzohet i gjithë segmenti I unazës së përfunduar. Projekti i Unazës së Madhe është konsideruar si arteria kryesore e Tiranës dhe ka për qëllim të mbledhë flukset e transportit në kryeqytet.
Drejtori Berberi gjithashtu theksoi fokusin e ARRSH-së në zhvillimin e korridoreve kryesore, ku tha se : “Një fokus të madh iu kemi dhënë akseve kryesore. Kemi dy arterie kryesore: Korridori adriatiko jonian dhe aksin e Korridorit 8 që fillon nga porti i Durrësit dhe lidhet me Maqedoninë e Veriut.
Fokusi ynë është që shkurtojmë akset, të fokusohemi tek këto dy arterie pa lënë pas dore të tjerat. Korridori adriatiko jonian nuk përfundon vetëm në Vlorë. Duam të bëjmë një studim që pjesa tjetër e mbetur nga Levani në drejtim të Kakavijës të kthehet me të njëjtin standart si Korridori 8.”
Një fokus më të shtuar, shtoi drejtori i ARRSH, kanë edhe akset në zonat malore dhe periferike, të cilat kanë problematika me dëborën dhe relievin e thyer.
Po ashtu, ai njoftoi se projekti i rrugës së Arbërit pritet të dorëzohet deri në fund të vitit, duke përfshirë të gjitha segmentet që kanë qenë në gjendje kantieri.