Aktualitet|

Projektet e BERZH për hekurudhat janë në zhvillim. Linja Vorë-Hani i Hotit, me një gjatësi prej 120 kilometrash, pritet të financohet nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) dhe BE. Ky projekt është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor.

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

“Infrastruktura e trasesë është përkeqësuar, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë.

Sistemi i sinjalizimit, i dëmtuar gjatë periudhave të trazirave në vitet 1991 dhe 1997, pothuajse nuk ekziston. Shërbimet e transportit të mallrave lënë për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të gjata dhe kërkesë të ulët, dhe jo të planifikuar.

Komunikimi i stacioneve realizohet nëpërmjet radios. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë.

Ndërsa gjeometria e shtrirjes horizontale të hekurudhës është mjaft e mirë”, – do të nënvizohej në planin e ndërveprimit social-mjedisor mbështetur nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, po zhvillohet një projekt tjetër për linjën Tiranë-Durrës me zgjatimin në Rinas, duke rikthyer transportin hekurudhor në vend në një fazë të re moderne. Kjo linjë ka një gjatësi prej 39 kilometrash dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Shqipëria gjithashtu ka planifikuar një lidhje hekurudhore me Kosovën, për të cilën po kryen një studim fizibiliteti.

Projektet e hekurudhave janë pjesë e përpjekjeve për të lidhur Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane, përmes Korridorit X pan-Europian, dhe për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet e transportit hekurudhor në vend.

Close Search Window